Të hënën nis zbatimi i masave lehtësuese ndaj të burgosurve

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), prej nesër, më 14 shtator, do fillojë së aplikuari masat lehtësuese për të burgosurit.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Rasim Selmani njofton se ndër masat që do nisë së zbatuari nga e hëna do të jenë lejimi i vizitave të fëmijëve për të burgosurit dhe e drejta e shfrytëzimit të fundjavës në shtëpi.

Ai shtoi se qëllim të ruajtës së shëndetit nga Covid-19, të gjithë të burgosurit që kthehen nga fundjava do të hynë në karantinë për disa ditë.

“Kemi marrë vendimin përmes urdhrit operativ, që nga data 14 shtator të fillojmë me benificionet për të burgosurit, pushimin jashtë institucionit, që janë vikendet në shtëpi. Dhe prej javës së ardhshme presim që të burgosurit ta gëzojnë këtë benificion, që nuk e kanë shfrytëzuar që nga 13 marsi i këtij viti për shkak të pandemisë. Pas kthimit të burgosurit do t’i nënshtrohen karantinimit në hapësira të veçanta të institucioneve për disa ditë, në mënyrë që të ruhet shëndeti i personave të tjerë që qëndrojnë në institucione”” tha Selmani për Ekonomia Online.

Sa i përket vizitave, Selmani thekson se prej të hënës,, gjithmonë duke respektuar masat, të burgosurit do të mund të presin nga dy vizitorë duke përfshirë edhe fëmijët.

“Kemi paraparë, po ashtu edhe shtimin e numrit të vizitorëve, ku ka qenë një vizitorë për një të burgosur, tani do të kenë dy vizitorë dhe do të jenë edhe fëmijët për vizita”, është shprehur Selmani.

ShKK-ja, kishte reduktuar vizita për të burgosurit për shkak të situatës së pandemisë.