TRIDHJETË VJETORI I VRASJES SE VËLLEZËRVE SIMON DHE SHTJEFËN DUSHI – DËSHMORË TË KOMBIT

Vëllezërit Simon Dushi (i lindur 23.02.1958) dhe Shtjefën Dushi ( i lidur 04.05.1964) nga fshati Dejë (Deiq) i komunës së Klinës, ranë deshmorë heroikisht, në përleshje me armë, me policinë serbe, më 13 shtator 1990 .

Ata po ktheheshin me makinë nga fshati i tyre i lindjes, Doblibare, ku në afërsi të Klinës, në fshatin Grabanicë, patrulla policore i ndalon dhe fillon t`i maltretojë në mënyrë brutale, dhe në përleshje e sipër plagoset Simoni, e me pas Shtjefni duke e parë vëllain të plagosur, nxjerr armën nga makina, nga të shtënat e tyre të një lufte të pabarabartë, mbetet i vrarë një polic serb dhe dy a tre të tjerë të lënduar. Ata ranë heroikisht krah për krah me njëri tjetrin, duke luftuar për më se dy orë me policinë serbe. Por siç thotë një fjalë e vjetër popullore “po të vritesh në pritë, – nuk e humb lavdinë“.
Dhe ashtu si populli shqiptar i atyre viteve, që sa ma shumë shtohej represioni mbi ta, ai nuk mposhtej, por barrikadohej dhe merrte forcë, për të mos u gjunjëzuar. Ashtu edhe vëllezërit Simon dhe Shtjefën Dushi, atë ditë u vranë, por nuk mbetën te gjunjëzuar, as të poshtëruar, nga postblloku i policisë serbe.

Të jesh i tillë siç ishin këta dy BURRA, me një fisnikëri e trimëri të rrallë e të dëshmuar për komb e atdhe, duhet të kesh zemrën e madhe dhe SHPIRTIN e atdhedashurisë.