Rreth 400 autobusë përplot me udhëtarë janë nisur çdo ditë nga Prishtina për në Evropë prej 1 janarit

Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen dhe janë të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në këtë zonë.

Nga 1 janari 2024 kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian për kosovarët, terminali i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është përplot me udhëtarë, njëjtë siç është edhe Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Nga ky i fundit kanë dhënë statistikat e udhëtimit të kosovarëve drejt vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian këtë muaj.

Shqipe Durmishi, zëdhënëse e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, ka bërë të ditur se nga 1 janari 2024, mesatarja ditore e nisjes së autobusëve nga Prishtina është 380-400 autobusë.

Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se për 15 ditë rreth 6000 autobusë me udhëtarë janë nisur vetëm nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Nëse llogaritet se në një autobus mund të transportohen 50 udhëtarë, del që vetëm për dy javë hiç më pak se 300,000 veta kanë shkuar nga Prishtina për në qytete të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Sipas Durmishit për shkak të kthimit të mërgimtarëve dhe shtimit të numrit të vizitave turistike nga kosovarët për në BE ka ndikuar që të rritet kërkesa për shtimin e linjave të autobusëve nga transportuesit.

“Gjermania, Sllovenia, Zvicra, Belgjika janë shtetet ku ka më së shumti linja me autobusë nga Prishtina”, tha Durmishi për Front Online.

“Kostoja më e lirë e transportit rrugor gjithashtu edhe benefitet e bagazhit që po ju ofrohen udhëtareve po e rrisin edhe kërkesën për të udhëtuar me autobus”, shprehet Durmishi.