23 komuna nuk i binden Qeverisë, s’e përkrahin faljen e 100 eurove nga Tatimi në Pronë

Njëzet e tri komuna të Republikës së Kosovës nuk e kanë përkrahur Ligjin për Tatimin në Pronë, që mundëson faljen deri në 100 euro. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi.

Ibrahimi e ka vlerësuar të gabuar këtë vendim, pasi dëmi i përgjithshëm i komunave llogaritet të jetë milionësh.

Në këtë situatë sipas tij do të ndikojë edhe mendimi juridik i Gjykatës Supreme, ku mësimdhënësit duhet të kompensohen për licencimin e tyre si dhe normën e inflacionit.

“Deri në momentin që po flasim, janë 23 komuna të cilat nuk kanë marrë vendim apo nuk e kanë shqyrtuar çështjen e faljes së Tatimit në Pronë. Pra janë 23 komuna dhe dy të tjera janë në proces gjatë ditës së sotme e kanë çështjen e faljes së Tatimit në Pronë në vlerë deri në 100 euro. Po shihet që shumica e komunave nuk kanë hyrë në këtë proces, duke marrë parasysh se buxhetet e tyre komunale do të dëmtoheshin me qindra mijëra euro dhe në total i bie me miliona euro”, ka thënë Ibrahimi.

“Duke marrë parasysh që niveli qendror nuk është duke u marrë edhe me çështjen e kontratave kolektive, pastaj në 23 komuna në Kosovë i ka shkurtuar me miliona euro investimet kapitale për projektet e reja dhe duke u marrë parasysh edhe faljen e Tatimit në Pronë, atëherë në takimin e Këshillit të Kryetarëve ku i diskutuam këto çështje, u konkludua që komunat e Kosovës vitin e ardhshëm do të gjinden në një situatë shumë të pavolitshëm financiare sa i përket investimeve kapitale”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, komunat që nuk e kanë ndërmarrë këtë vendim për faljen e 100 eurove nga Tatimi në Pronë, është bërë për shkak të pamundësisë për të realizuar të hyra më shumë vetanake.

“Pra po shihet se nëse një Projektligj nuk hartohet së bashku me komunat, atëherë edhe zbatimi i tyre nuk po është efikas. Pra me vetë faktin se deri në këtë moment 23 komuna që ky numër ndoshta mund të shtohet, nuk e kanë bërë një veprim të tillë, po shihet që politikat qeveritare ndaj nivelit lokal, nuk po janë korrekte. Me vetë faktin që nuk ka bashkëpunim të sinqerte e korrekt me nivelin lokal sa i përket hartimit të projektligjeve e të cilat prekin interesat e tyre vitale, po shihet se edhe komunat në pamundësi që të kenë të hyra më shumë vetanake, këto komuna kanë marrë vendim që mos ta bëjnë një veprim të tillë sa i përket faljes së Tatimit në Pronë”, u shpreh ai.

Dëm të madh komunave sipas drejtorit të AKK-së po i bëhet edhe me zbatimin e mendimit juridik nga Gjykata Supreme, ku i obligon komunat t’i kompensojë mësimdhënësit për licencimin e tyre si dhe normën e inflacionit.

“Ne përsëri kërkojmë të jetë më korrekt në hartimin e politikave ndaj nivelit lokal sepse jeta zhvillohet në nivel lokal. Po thuajse shumë projekte që janë parapa me buxhetet komunale vitin e ardhshëm nuk do të zbatohet, duke marrë parasysh që edhe kontratat kolektive do të kenë ndikim sa i përket të hyrave vetanake por edhe në investime kapitale, bëjmë apel që niveli qendror t’i hap sytë sa i përket bashkëpunimit me nivelin lokal sepse po dëmtohen buxhetet komunale dhe me dëmtimin e tyre nuk po ka investime kapitale kapitale që do të ndikonin në përmirësimin e jetës së qytetarit”, u shpreh Ibrahimi, teksa thotë se për bashkëpunim të nivelit lokal e atij qendror e ka komentuar edhe Raporti i Progresit.

“Edhe Raporti i Progresit këtë vit ka theksuar që bashkëpunimi ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror duhet të përmirësohet, kjo do ta ngrisë vetëdijen ndaj Qeverisë që në hartimin e politikave që ka ndikim nëpër komuna, të bëhet në bashkëpunim të sinqertë dhe korrekt”.