Reagon kryetari i Klinës: Vendimi i gjykatës i padrejtë, shpresoj se nuk është nxitur nga interesat politike

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë për dënimin e tij për konflikt interesi, e ka quajtur të padrejtë, duke theksuar se shpreson se ky vendim nuk është nxitur nga interesat politike,

Elezaj, përmes një postimi në facebook, ai ka zbatuar ligjin në fuqi në përpikëri, e Prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë për ta mbështetur aktakuzën e saj. E për habinë time, Gjykata e shkallës së parë ka gjetur bazë të më shpallë fajtor pa asnjë provë të drejtpërdrejt, ka shkruar Elezaj.

I bindur në pafajësi, ai ka thënë se lëndën do ta dërgojë në Gjykatën e Apelit.

Postimi i tij:

“Për të gjitha palët e interesuara,

Sot, përmes mbrojtësit kam kuptuar se Gjykata Themelore në Pejë, si Gjykatë e shkallës së parë, më ka shpallur fajtor për veprën penale të konfliktit të interesit.

Duke qenë se vendimin gjykata  e ka shpallur sot, jam i bindur se ankesa drejtuar Gjykatës së Apelit të Kosovës si Gjykatë e shkallës së dytë do rrëzojë këtë vendim të Gjykatës Themelore në Pejë. Kjo meqë unë jo që nuk kam kryer veprën penale në fjalë, por i jam shmangur konfliktit të interesit.

Unë kam zbatuar ligjin në fuqi në përpikëri, e Prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë për ta mbështetur aktakuzën e saj. E për habinë time, Gjykata e shkallës së parë ka gjetur bazë të më shpallë fajtor pa asnjë provë të drejtpërdrejt.

Sa do që ky vendim nuk është i drejtë për mua, shpresoj se ai nuk është nxitur nga interesat politike të kujtdo.

Pasi do të pranojmë vendimin me shkrim, sigurisht se ekipi i mbrojtjes do të deklarohet për opinionin tonë përshtatshmërisht.

Sinqerisht, i juaji,

Zenun Elezaj”