Si do të përcaktohet çmimi tavan për produktet bazike? (VIDEO)

Krejt produkteve bazike pritet t’u vendoset çmim tavan. Kjo do të bëhet përmes projektligjit ku parashihen këso masa në rast se destabilizohet tregu përmes rritjeve të menjëhershme të çmimeve.

Përveç marzhës së fitimit dhe caktimit të çmimit maksimal të lejuar, shteti mund ta ndalojë apo kufizojë eksportin dhe t’i detyrojë bizneset ta kufizojnë apo ta ruajnë në stok, një pjesë të produkteve, njofton Klan Kosova.

Draftligji e përcakton edhe formulën e llogaritjes së marzhës. Për prodhimet vendore merret parasysh kostoja e prodhimit dhe e shpenzimeve, kurse për ato të importuara fitimi i bizneseve caktohet pasi të mblidhen disa faktorë.

“Çmimi i blerjes së produktit; kostoja e transportit, e llogaritur sipas legjislacionit në fuqi; detyrimet doganore; kostoja e zhdoganimit, që përfshin koston e terminalit doganor dhe shpedicionit, koston e matjes së sigurisë së produktit, si dhe koston tjetër të faturuar lidhur me zhdoganimin e produktit”, thuhet në nenin 7.

Këtë e vë në praktikë komisioni i emëruar nga ministrja e Tregtisë, kurse inspektorati mund të vë gjoba të majme në rast moszbatimi.

“Prej 1.000 deri në 20.000 euro, si person juridik; prej 500 deri në 5.000 euro, si person fizik që ushtron biznes individual; prej 500 deri në 2.000 euro, si person përgjegjës i personit juridik”, saktëson kështu neni 9 i projektligjit.
Nisma e qeverisë tashmë ka kaluar në komisionin funksional dhe pret miratim të plotë në Kuvend.

Në bazë të matjeve të Agjencisë së Statistikave, është vërejtur lëvizje e përditshme e çmimeve te disa produkteve.