ShSKUK-ja bleu oksigjen nga Serbia në vlerë 300 mijë euro

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme  sot më 17 gusht janë duke u trajtuar 441 pacientë të infektuar me COVID-19.

Sipas njoftimit të QKUK-së, 372 prej tyre janë në oksigjeno-terapi dhe 40 në gjendje të rëndë.

Në anën tjetër, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) më 24 korrik 2020 ka nënshkruar kontratë me kompaninë ‘Medica’ për furnizim me oksigjen në vlerë prej 307,530 eurove.

Data e hapjes së tenderëve ishte më 21 korrik.

Kontrata me titull ‘Oxygen – Inhalim – Per perdorim ne menaxhimin e Hipoksisë’ ishte e negociuar dhe në tender ka marrë pjesë vetëm një kompani.

Sipas kontratës së nënshkruar, origjina e oksigjenit është nga Serbia.

Po ashtu, sipas kontratës, çmimi për litër ishte 2 euro, ndërsa sasia është 153 mijë litra.

Në mars të këtij viti, ky institucion kishte blerë 160 mijë litra oksigjen po ashtu me origjinë nga Serbia dhe me çmim dyfish më shumë nga sa e kishte planifikuar. Vlera e parashikuar për këtë tender ishte 184,257,68 euro, ndërsa ShSKUK-ja kishte lidhur kontratë me ‘Medica’, në vlerë prej 320,857,86 euro.

Një tjetër tender Shërbimi Spitalor kishte nënshkruar për oksigjen.

Në korrik të këtij viti, ShSKUK-ja ka blerë 835,026 litra oksigjen me origjinë nga Italia dhe Maqedonia.

Kontrata me kompaninë ‘Medical Group’ në vlerë prej 1 milion e 277 mijë e 743 euro ishte nënshkruar më 6 maj të këtij viti, pas një procedure të hapur të prokurimit.