Shqiptari bëhet hero në Zvicër, shpëtoi burrin nga 20 persona që ia vunë flakën për së gjalli

Një shqiptar papritmas është bërë hero në Zvicër.

Kur ishte duke pritur në stacionin e autobusëve “Waser” në Winterthur, më 3 shtator, një grup prej 20 personash rrahën një pasagjer dhe më pas i vunë zjarrin, duke e lyer paraprakisht me lëng ndezës.

Ishte gati mesnatë, por Agron Ajeti, një ish-ushtar nga Maqedonia e Veriut nuk e kishte frikë terrin e as grupin prej 20 huliganësh.

“Ish-ushtari nga Maqedonia nuk hezitoi asnjë sekondë, i përzuri sulmuesit dhe hodhi xhaketën e tij mbi burrin për të shuar flakët”, shkruan portali zviceran “Beobachter” të hënën.

Agron Ajeti ishte për vizitë në familjen e tij në Zvicër.

“Nuk e prisja një krim të tillë këtu”, tha 30-vjeçari shqiptar.

Viktima është dërguar në spital me djegie dhe mavijosje.