Shqipëria do marrë 31 mijë tonë grurë nga Serbia

Serbia do të bëjë një përjashtim në raport me Shqipërinë ka thënë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq të enjten.

Kështu, Shqipëria pritet të pranoj 31 mijë ton grurë që kompanitë shqiptare i kanë kontraktuar më herët në Serbi. Siç raportojnë mediat serbe, do të jetë edhe një sasi më e vogël e misrit.

Presidenti serb gjatë një konference për media tha gjithashtu se do të shfrytëzohet porti i Durrësit në Shqipëri për importimin e naftës nga Lindja e Mesme.

“Po diskutojmë importin e naftës nga Lindja e Mesme nëpërmjet Durrësit”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Ditë më parë, kryeministri shqiptar, Edi Rama kishte paralajmëruar importimin e grurit nga Serbia. Ai kishte thënë, kjo do të ndodh “fal Ballkanit të Hapur”.

“Po negociojmë me Serbinë për të nxjerrë një pjesë të grurit që është kontraktuar nga biznesmenët tanë atje. Dhe do ta bëjmë falë Ballkanit të Hapur. Këto janë faktet”, kishte thënë Edi Rama.