Shpresë e re për qindra pacientë/ Kurti bën për hair investimin jetik në Onkologji: Aparaturë moderne kundër kancerit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë marrë pjesë të mërkurën në përurimin e akseleratorit të ri dhe bunkerit në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një projekt që cilësohet si investimi më i madh i këtij viti në këtë institucion shëndetësor.

Vlera e përgjithshme e pajisjeve dhe investimit arrin në rreth 2.7 milionë euro, ndërsa vetëm akseleratori i ri kap vlerën prej 1.6 milionë euro. Ky investim është realizuar brenda një periudhe prej vetëm pesë muajsh.

“Jemi në Klinikën e Onkologjisë, e cila ka përjetuar një transformim rrënjësor, si në kushtet për pacientët ashtu edhe për stafin. Kjo klinikë tashmë është shembull në Kosovë. Nga 45 shtretër sa kishte më parë, sot ka 150 shtretër. Vlera e përgjithshme e pajisjeve është 2.7 milionë euro dhe ky investim është realizuar për vetëm pesë muaj. Akseleratori, në vlerë prej 1.6 milionë eurosh, ofron saktësi maksimale në rrezatim, duke goditur tumorin pa dëmtuar indet përreth. Kjo do ta zvogëlojë edhe më shumë listën e pritjes dhe do të sigurojë kushte shumë më të mira pune”, ka thënë Kurti, transmeton IndeksOnline.