Krejt partitë pro shpërbërjes së Kuvendit

Presidenti i vendit ka filluar konsultimet me partitë politike.Të parët që shkuan tek Hashim Thaçi ishin përfaqësuesit e partive minoritare, Mahir Yagcilar, dhe deputetët Duda Balje dhe Bahrim Sabani.

Por, i pari i shtetit ende nuk ka ftuar subjektet e mëdha politike.

E këto të fundit, ditë më parë janë shprehur të gatshme të marrin pjesë në konsultime tek presidenti, raporton T7.

Por, kanë menduar edhe zgjidhje të tjera për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Forcat parlamentare thonë se janë të gatshme ta shpërbëjnë legjislaturën e gjashtë në rast se ftohen në seancë për këtë punë.

Në fakt, një mundësi e tillë u përmend edhe nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ndërkohë, shpërbërjen e Kuvendit e përkrah Nisma Socilademokrate.

E vendosur për shpërndarjen e Kuvendit është edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme në çdo formë po e kërkon edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë për T7 se shpërbërja e Kuvendit është rruga më e mirë për të shkuar në zgjedhje.

Sipas Nitaj, AAK është e gatshme për çfarëdo veprimi që përshpejton zgjedhjet.

E Kuvendi i Kosovës mund të shpërndahet në rast se dy të tretat e të gjithë deputetëve votojnë për të përfunduar mandatin katër vjeçar të kuvendarëve.