Shefi i ushtrisë zvicerane viziton Kosovën

Më 12 dhe 13 qershor, shefi i Forcave të Armatosura të Zvicrës, komandanti i korpusit Thomas Sussli, do të vizitojë pjesëtarët e forcave të armatosura të vendit të tij në Kosovë të cilët janë të vendosur si pjesë e ndërtimit të paqes ushtarake.

Gjatë kësaj vizite, siç njofton Qeveria zvicerane, ai do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.

“Me vizitën e tij te trupat, kreu i ushtrisë dëshiron të marrë një pasqyrë të situatës aktuale në Ballkan. Ai do të shfrytëzojë rastin për të folur me anëtarët e Forcave të Armatosura Zvicerane të vendosura atje dhe të marrë një ide mbi shërbimet e ndryshme që ofrohen në dobi të misionit të KFOR-it”, ka thënë Qeveria zvicerane.

Kreu i forcave të armatosura zvicerane do të shoqërohet në vizitën e tij nga këshilltari i Kantonit të Lucernit, Fabian Peter, dhe këshilltarja kombëtare e Aargaut, Stefanie Heimgartner, anëtare e Komitetit të Politikave të Sigurisë të Këshillit Kombëtar, si edhe përfaqësues të forcave të armatosura.

Qeveria zvicerane thotë se mandati aktual i Forcave të Armatosura Zvicerane në KFOR zgjat deri në fund të vitit 2026.

“Ndërtimi i paqes ushtarake në një kontekst ndërkombëtar është një nga tre misionet e Forcave të Armatosura Zvicerane”, deklaroi qeveria zvicerane.

Në njoftim nuk është njoftuar për ndonjë takim me zyrtarë të shtetit të Kosovës.