Shefi i diplomacisë serbe: Me Kurtin s’pritet të ketë vazhdim të dialogut

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviq, tha sot se nuk pritet që të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi derisa në krye të Qeverisë së Kosovës është Albin Kurti.

Selakoviq tha se qëndrimi i Serbisë është që të zhvillohet dialog me Kosovën, por sipas tij, Kurti e ka vështirësuar vazhdimin e bisedimeve.

“Qëndrimi ynë dhe ajo që nuk ndryshon është se ne jemi gjithmonë të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve. Por, për ne është e qartë se që kur Kurti është në Prishtinë dhe që kur ai pyetet, nuk ka pasur dialog dhe ndoshta nuk do të ketë përderisa ai të vendos”, tha Selakoviq për RTS, raporton media serbe Tanjug.

Gjatë ditës së nesërme pritet që në Kosovë të vijnë i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe i deleguari i Administratës amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si përpjekje për të zhbllokuar ngecjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është mbajtur në korrik të vitit 2021.