Selimi: Të pezullohet menjëherë dialogu me Serbinë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka kërkuar që të ndërprehet menjëherë dialogu me Serbinë.

Kjo deklaratë e tij vjen pas aktakuzave që ka ngritur Gjykata Speciale.

Ai tha se qeveria është për vendosjen e drejtësisë, po se Gjykata duhet të sqarohet nëse është Gjykatë e Kosovës.

“Konfirmimi i aktakuzave nga Dhomat e Specializuara për ish-presidentin dhe dy ish-kryetarët e Kuvendit dhe shefit të grupit më të madh parlamentar është goditje për tërë popullin dhe në veçanti për institucionet e Kosovës.

Këto aktakuza të cilat më shumë se kanë qenë efekt juridik po prodhojnë efekte politike me qëllim të pozicionit tonë ndërkombëtar përballë të cilave nuk guxojmë të qëndrojmë duarkryq. Si ministër i Drejtësisë, por edhe si qytetar, i deleguar nga AAK-ja për dialog konsideroj që Qeveria e Kosovës menjëherë duhet të pezullojë dialogun deri në një moment tjetër”, tha Selimi.