Sa shpenzojnë qytetarët e Kosovës për mjete piroteknike për festat e fundvitit

Papunësia në Kosovë arrin numër shqetësues, e si pasojë edhe varfëria është tej mase e theksuar.Mirëpo, kjo nuk po i ndalon qytetarët e Kosovës që për festat e fundvitit të harxhojnë miliona euro për djegien e mjeteve piroteknike.Edhe këtë vit duket se janë planifikuar të shpenzohen miliona euro pasi është bërë import i madh i mjeteve piroteknike. Këtë e konfirmojnë edhe nga Dogana e Kosovës.Zëdhënësi i këtij institucioni, Adriatik Stavileci ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se këtë vit trendi i importimit të mjeteve piroteknike është i njëjtë me atë të vitit të kaluar.

“Deri me tani kemi importuar mbi 81 000 mijë kilogramë mjete piroteknike. Ka trend të njëjtë pasi vitin e kaluar kishim rreth 100 000 mijë kilogram, derisa sivjet jemi tek 81 000 mijë kilogramë dhe presim që viti të përmbyllet me sasinë e përafërt me vitin e kaluar”, ka thënë Stavileci

Importimi i kësaj sasie të mjeteve piroteknike, arrin vlera milionëshe. Deri tani për këto 81 mijë kilogramë të importuara, janë shpenzuar rreth 6.3 milionë euro.

Edhe këtë vit, importimi i mjeteve piroteknike është bërë kryesisht nga Kina.

Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka paraparë edhe afate se kur fillon përdorimi i mjeteve piroteknike.Zyrtarja për media e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Rroksana Qarri, ka thënë se në bazë të ligjeve, shitja e mjeteve piroteknike fillon nga 19 dhjetori.

Ligji për përdorim civil të eksplozivëve, tek dispozitat ndëshkuese, parasheh gjobat që mund t’u shqiptohen të gjithë atyre që shkelin rregullat e përcaktuara me këtë ligj.

Sipas Qarrit, për gjithë ata që thyejnë afatet ligjore, do të ketë dënime qoftë për personat juridik, qoftë për ata fizik.

“Neni 48: Personi juridik për kundërvajtje dënohet me gjobë në shumë prej njëmijë (1000) deri shtatëmijë (7000) Euro nëse shkelet paragrafi 3.15 i këtij neni. Neni 49: Punëtorët e organeve të autorizuara dënohen për kundërvajtje me gjobë në shumën prej njëqind(100) deri pesëqind (500) Euro nëse shkelet paragrafi 1.5 i këtij neni; dhe Neni 50: Punëtori i organeve të autorizuara dënohet me gjobë në shumën prej njëqind (100) Euro në vendin e kryerjes së kundërvajtjes, nëse nuk e prezanton licencën me kërkesën e zyrtarit policor”, ka theksuar ajo.

Gjatë viteve të kaluara nga përdorimi i mjeteve piroteknike ka pasur shumë të lënduar, sidomos të rinj e fëmijë. Madje, ka pasur të atillë që kanë humbur edhe gishtërinjtë si pasojë e lëndimeve të marra nga pakujdesia gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike.

Për këtë shkak shumë nga komunat e Kosovës vitin e kaluar morën vendim për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në vendet e hapura publike, përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe.