Rusia deklaron armëpushim në dy qytete të Ukrainës

Ministria ruse e mbrojtjes ka njoftuar për një armëpushim të përkohshëm dhe hapjen e korridoreve humanitare për civilët nga ora 10:00 të shtunën nga dy qytete në juglindje të Ukrainës, Mariupol dhe Volnovakha.

Rusia thotë se ka rënë dakord për rrugët jashtë qyteteve me palën ukrainase, por kjo gjë nuk është konfirmuar ende nga pala ukrainase.

Mariupol është një qytet port i madh dhe ka qenë i rrethuar nga forcat ruse për disa ditë. Teksa, në Volnovakha ka pasur luftime të ashpra.

Në anën tjetër, luftimet vazhdojnë. Shpërthime të shumta u dëgjuan në Kharkiv, në veri-lindje të Ukrainës.

Ndërkaq, në qytetin lindor të Sumy, i cili është i rrethuar nga trupat ruse, granatimet filluan në orën 05:00, sipas mediave ukrainase.