Putin: Mercenarë nga Kosova dhe Shqipëria po luftojnë në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se numri i mercenarëve nga Kosova dhe Shqipëria po shtohet në Ukrainë.

“Po regjistrojmë gjithnjë e më shumë ardhjen e mercenarëve nga vendet e treta, në veçanti nga Shqipëria dhe Kroacia, militantë nga Kosova dhe madje edhe xhihadistë me përvojë luftarake siriane”, thuhet në deklaratën zyrtare të lëshuar nga Kremlini.

Këtë deklaratë presidenti rus e ka bërë gjatë telefonatës që e kishte me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ku sipas komunikatës, ka folur për rrezikun që vjen nga neonazistët në Ukrainë.

Rusia edhe më herët e ka pasur pretendimin që mercenarë nga Kosova dhe Shqipëria janë bërë pjesë e luftës në Ukrainë, gjë që ishte hedhur poshtë nga institucionet e sigurisë.

Në anën tjetër, kancelari gjerman i ka bërë thirrje presidentit rus që të ndalojë menjëherë të gjitha veprimet ushtarake dhe të lejojë qasje për ndihma humanitare në zonat ku po zhvillohen luftime.