Rreth 9 mijë nxënës nuk po mbajnë mësim për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike

Shkaku i mungesës së pajisjeve teknologjike, rreth 9000 nxënës nuk kanë pasur mundësi të vijojnë mësimin.

Në mesin e tyre ka nxënës që gjatë pandemisë nuk arritën të mbajnë mësim.

Ndjekja e procesit mësimor nga distanca ishte i pamundur për ta, pasi nuk kishin pajisje teknologjike.

E dikush tentoi të gjente një zgjidhje për ta.

Koordinatori i qendrës për mësimnxënie, Rrahman Stollaku tha se mësimdhënësit nuk kishin si t’i kontaktojnë nxënësit.

Për shkak të mungesës së pajisjeve, mbi shtatëdhjetë nxënës në shkollën “Mihal Grameno” nuk kanë vijuar mësimin.

Drejtori i shkollës, Ismet Gashi tha se me fillimin e vitit të ri shkollor këto raste mund të dyfishohen.

Gashi tha se Ministria e Arsimit do të duhej t’i siguronte këto mjete paraprakisht, pasi që po vështirësohet mbajtja e mësimit.

Me një hall të ngjashëm janë ballafaquar mbi 9000 nxënës në gjithë Kosovën.

E nga Ministria e Arsimit po thonë që sigurimi i pajisjeve teknologjike është në fazën përfundimtare.

Momentalisht në disa komuna është ndërprerë mësimi në objekte shkollore, për të vazhduar virtualisht, pasi janë paraqitur disa raste pozitive me COVID-19 te mësimdhënësit.