Rusia kërcenon Finlandën dhe Suedinë për anëtarësimin në NATO, paralajmëron trazira

Vendimi i NATO-s për t’u zgjeruar dhe gatishmëria e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim, nuk janë pritur aspak mirë nga ana e Rusisë.

Moska ka reaguar ashpër ndaj zyrtarizimit të djeshëm të Finlandës për anëtarësim në NATO, duke thënë se ky vendim do të sjellte pasoja për Finlandën.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka deklaruar përpara mediave se zgjedhja e Suedisë dhe Finlandës për t’iu bashkuar NATO-s është një zgjedhje e gabuar dhe që sjell pasoja.

Sipas tij, ky anëtarësim do të ndryshonte rrënjësisht rendin dhe situatën globale.

“Finlanda dhe Suedia nuk duhet të kenë iluzione se Rusia thjesht do ta durojë vendimin e tyre” ka thënë ai.

Nga Finlanda ishte presidenti i vendit, Sauli Niinistö, ai që zyrtarizoi vullnetin e shtetit për anëtarësim.

Në anën tjetër, Suedia është duke pasur medyshjet e saj, duke pasur parasysh që kryeministrja e vendit, Magdalena Andersson i takon Partisë Social-Demokrate, parti kjo e cila nuk është pro anëtarësimit në NATO.

Megjithatë, Andersson do të provojë sot të marrë mbështetjen e parlamentit për të vijuar tutje me procedurat për aplikim për anëtarësim.

SHARE