Rrefuzohet kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për kontakt me një dëshmitar

Angela Griep, shefe për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka bërë të ditur se më 16 gusht trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes së Thaçit lidhur me kontaktin me një dëshmitar të caktuar.

‘Mbrojtja e Thaҫit kërkoi që të shfuqizohet protokolli që rregullon kontaktet me dëshmitarët në lidhje me këtë dëshmitar, bazuar në njoftimin e prokurorisë se ka vendosur të mos e thërrasë këtë dëshmitar në këtë fazë të procesit’’, tha Griep.

Ajo shtori se trupi gjykues ka konstatuar se protokolli vazhdon të jetë në fuqi, me arsyetimin se Prokuroria ende ka ndër mend ta thërrasë dëshmitarin, por në një fazë të mëvonshme të procesit.

Griep tha se trupi gjykues ka sqaruar gjithashtu se sa herë që Prokuroria të vendosë të mos e thërrasë një dëshmitar për të cilin ka njoftuar më parë, ajo duhet ta informojë mbrojtjen, sepse në këto raste protokolli pushon së qeni në fuqi.

‘‘Rrjedhimisht, Prokuroria duhet që ta rishikojë në mënyrë proaktive dhe të vazhdueshme listën e dëshmitarëve të saj dhe të njoftojë pa vonesë mbrojtjen sa herë të vendosë të mos e thërrasë një dëshmitar të caktuar’’, tha më tej ajo.

Ndryshe, informoi se në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitarët e 18-të dhe 19-të të thirrur nga Prokuroria dëshmuan këtë javë me masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private.

Po ashtu, seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore është planifikuar për të hënën, 4 shtator, duke filluar në orën 9:00 paradite.