Rrahje e të shtëna: Detaje nga incidenti të parkingu i Shell-it në Pejë, të rinjtë u kapën pas mosmarrëveshjes në trafik

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje,

Kështu ka ndodhur së fundmi në Pejë, ku disa të rinj, dy në njërën anë dhe katër të tjerë në anën tjetër janë përfshirë në një përleshje fizike, ku u përdor edhe arma e zjarrit.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti dyshohet se nisi teksa palët ishin në lëvizje e sipër me veturat e tyre, kur nisi mosmarrëveshja mes tyre dhe vazhdoi deri te parkingu i pompës së derivateve “Shell”.

Siç mëson Sinjali, katër të dyshuarit janë kapur me dy viktimat dhe gjatë rrahjes, njëri prej tyre ka shtënë me armë zjarri – duke eskaluar kështu situata.

Për shkak të lëndimeve që kanë pësuar, dy viktimat janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërkaq Policia ka arritur t’i arrestojë të dyshuarit dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se njësitet policore kanë kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit që gjuajti me armë, ku është gjetur revolja e përdorur gjatë incidentit.

Katër të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve.

Dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, nën dyshimet se kanë kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit te rrezikshëm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.