Rithemelohet Lotaria e Kosovës, kthehen në punë 62 punëtorë

Sot është mbajtur mbledhja e radhës e Qeverisë së Kosovës, ku ministrat kanë votuar për rithemelimin e Lotarisë së Kosovës, propozim i bërë nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

Ajo tha se me këtë vendim nuk përfshihet edhe rihapja e bastoreve, kazinove dhe llojeve të tjera të lojërave të fatit.

“Rithemelimi i Lotarisë së Kosovës, pas ndalimit të funksionimit të lotarisë së Kosovës, legjislatura e kaluar ka kërkuar që kjo çështje të ketë trajtim të veçantë ligjor, sot prezantojmë projektligjin për rithemelimin e lotarisë së Kosovës që parashihet të jetë suksesor juridik i ish-subjektit lotaria e Kosovës. Mund të organizojë vetëm lojërat numerike, jo edhe llojet tjera të lojërave”, ka thënë ajo.

Bajrami ka shtuar se me këtë ligj do të kthehen në punë 62 punëtorë.

“Janë 62 punëtorë që kanë mbetur pa punë dhe me këtë ligj ata automatikisht kthehen në punë”.

Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës është aksionar i Lotarisë së Kosovës dhe që organ mbikëqyrës i saj është bordi i saj që ka mandat katërvjeçarë.