Kërcet dajaku mes anëtarëve të familjes Foniqi në Malishevë, kushërinjtë sulmojnë njëri-tjetrin me sfurk

Telashet mes anëtarëve të një familjeje vazhdojnë të jenë të pranishme në të gjitha qytetet e vendit. Për pasojë vëllezërit e kushërinjtë përfshihen në ngatërresa në mes vete të cilat eskalojnë në sharje, kërcënime, përleshje fizike e shpesh herë kanë përfunduar edhe tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.

Në një rrahje janë përfshirë edhe dy anëtarë të familjes Foniqi në fshatin Llozicë të Malishevës, të cilët si pasojë kanë përfunduar në spital shkaku i lëndimeve të marra.

Burimet e Gazeta Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja kishte ndodhur shkaku i një konflikti verbal që kishin pasur mes vete dy të dyshuarit. Gjatë përleshjes, përpos grushteve ata dyshohet se përdorën edhe veglën bujqësore të njohur si sfurk për të sulmuar njëri-tjetrin.

Për shkak të lëndimeve të marra ata kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar dy të dyshuarit të cilët më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

SHARE