Rikthehet furnizimi me ujë në fshatrat e Deçanit, “Hidrodrini” apelon të mos përdoret për pije

KRU “Hidrodrini”, ka rikthyer furnizimin me ujë në fshatrat e Deçanit, teksa ka apeluar që ky ujë të mos përdoret për pije, pasi vazhdojnë dyshimet se helmimi i qindra qytetarëve të Deçanit të cilët nga e shtuna po kërkojnë ndihmë mjekësore ka ardhur pikërisht nga uji.

Përmes një komunikate për medie, Hidrodrini ka njoftuar se ndërprerja e ujit ka qenë si masë siguruese për shkak të dyshimeve për helmim.

Pas takimit të Shtabit Emergjent Komunal në Deçan, është është vendosur që nga ora 13:00 të rikthehet furnizimi nga sistemi i ujësjellësit për zonën në fjalë.

Njoftimi i plotë:

“KRU ‘Hidrodrini’, që nga çasti i parë i shfaqjes së shqetësimeve shëndetësore, të banorëve të fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri të komunës së Deçanit, me vëmendje po përcjellë situatën shëndetësore të krijuar.

Analizat e mostrave të ujit, të cilat kanë arritur nga IKSHPK, flasin se uji, në zonat ku është dyshuar, është brenda normave duke rezultuar në kufinjë të lejuar, në përputhje me parametrat e përcaktuara sipas udhëzimit administrativ 16/2012 i cili është udhëzim i njëjtë me standardet e Bashkësisë Europiane. Ky fakt sa e qetëson gjendjen dhe e vënë në pah të vërtetën poaq edhe duhet ta rris përkushtimin dhe vëmendjen e autoriteteve respektive, qytetarëve, mediave dhe shoqërisë se çka tjetër mund të ketë ndikuar në shëndetin qytetarë.

Përkundër se rezultatet e mostrave të ujit të nxjerra nga IKSHPK, kanë rezultuar në pajtim me kushtet dhe standardet e pijes dhe janë publikuar, KRU ‘Hidrodrini’ që nga çasti i parë e deri më sot ka vazhduar të mbajë të ndërprerë furnizimin me ujë për fshatrat në fjalë, kjo si masë siguruese e mëtejme. Sot, pas takimit të Shtabit Emergjent Komunal të Deçanit është vendosur që nga ora 13:00 të rikthehet furnizimi nga sistemi i ujësjellësit për zonën në fjalë. Përkundër këtij vendimi, të përbashkët të Shtabit Emergjent, KRU ‘Hidrodrini’, rekomandon që uji sërish, mos të përdoret për pije, por vetëm për nevoja sanitare dhe higjienike, deri në një vendim të ardhshëm.

KRU ‘Hidrodrini’ siguron qytetarët se është në mbikëqyrje të vazhdueshme të gjendjes dhe në koordinim të vazhdueshëm profesional me IKSHPK.

Konform vendimeve të Shtabit Emergjent dhe gjendjes së shpallur Emergjente në këtë komunë, KRU ‘Hidrodrini’, ka urdhëruar vazhdim të angazhimit 24 orësh dhe me kapacitete të shtuara për Njësinë e saj Operative në Deçan.

Në principin se asnjëherë nuk mund të eliminohet shqetësimi pa u gjetur shkaku, KRU ‘Hidrodrini’, fton të gjithë akerët dhe qytetarët e komunës së Deçanit, që të përcjellin rekomandimet e mekanizmave zyrtar kompetent të involvuar në këtë çështje.

KRU ‘Hidrodrini’, mbështet fuqishëm me të gjitha kapacitetet brenda autoritetit të vet profesional, hetimet e prokurorisë së shtetit në zbardhjen e rasteve dhe të gjtiha mekanizmat e involvuar në menaxhim të situatës dhe tejkalim sa më të shpejt.

Pacientëve që kanë shfaqur simptoma dhe probleme shëndetësore, ju urojmë shërim sa më të shpejt dhe kthim të shëndetit të plotë”.