Reshjet e borës, katër aksidente vetëm në një rrugë në Prishtinë

Reshjet e borës që kanë filluar para dy netëve në viset e ulëta në Kosovë, kanë krijuar vështirësi në trafikun rrugorë edhe në kryeqytet.

Vetëm mbrëmë pas mesnate në rrugën “C”, në Prishtinë, sipas një informate dhe video që kanë dërguar qytetarët në KosovaPress, kanë ndodhur katër aksidente, ku kanë qenë të përfshira nëntë automjete.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se reshjet e borës, varësisht prej intensitetit të tyre mund të krijojnë vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve, posaçërisht gjatë natës apo gjatë orëve të hershme të mëngjesit.

Prandaj, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor, të posedojnë pajisjet dimërore në automjetet e tyre, si dhe të jenë më vigjilent. Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor”, thuhet në apelin e policisë.