Republika e Kosovës duhet të shpall 5 shtatorin si ditë feste, ditën e Shënjtërimit të Shën Nënë Terezës – Gonxhe Bojaxhiut

Shkruan: Lekë Mrijaj

Shën Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhiu, është një dritë e pavdekshme që rrezaton jo vetëm në kujtesën shpirtërore të Kishës Katolike, por edhe në ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar. E lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, nga një familje shqiptare, ajo e sublimoi misionin e saj shpirtëror deri në sublimim universal të dashurisë për njeriun. Shënjterimi i saj është bërë më 5 shtator 2016 nga Selia e Shënjte – Papa Françesku, e cila ajo ngjarje e asaj dite ishte një ngjarje kulmore, jo vetëm kishtare universale, por edhe historike e kombëtare.

Si një Nënë misionare, ajo mishëroi virtytet e përvujtërisë, të dashurisë së pakushtëzuar dhe të shërbimit ndaj më të braktisurve e të sëmurëve. Përmes jetës së saj, dëshmoi se feja e vërtetë nuk mbyllet brenda mureve të tempullit sakral, por shpaloset aty ku njeriu ka nevojë dhe aty ku ai vuan, shpirtërisht apo fizikisht. Nënë Tereza u bë shenjtore e mëshirës dhe ikonë e Hyjit të gjallë ndër njerëzit e Kalkutës (e botës mbarë), pa dallim rrace, ngjyre, feje apo gjendjeje shoqërore.

Ndaj edhe për hirë të nderimit dhe falenderimit për Shën Nënë Terezën, duhet të pergaditet dhe miratohet Ligji për festat zyrtare në mënyrë qe kjo ditë të Shpallet si ditë feste shtetërore e shënjterimit të saj në tërë Republikën e Kosovës, i cili miratim do të ishte një akt mirënjohjeje për misionin e saj hyjnor dhe një ftesë që shpirti ynë kombëtar të ushqehet me lutje, dashuri e solidaritet shpirtëror e njerëzor.

Portreti i Shën Terezës-Gonxhe Bojaxhiut është një urë që lidh trashëgiminë shqiptare me kulturën universale. Ajo nuk mbeti thjesht një murgeshë e kishës katolike, por me mrekullitë e saj hyjnore u shndërrua në një simbol të përbashkët të njerëzimit.

Emri i saj sot gdhendet në monumente, universitete, aeroporte, autostrada, qendra shëndetësore e humanitare në të gjitha kontinentet botërore. Kosova, duke shpallur ditë feste në nder të saj, do të afirmonte se është pjesë e kësaj trashëgimie universale dhe bartëse e kulturës së lashtë të mikpritjes, humanizmit dhe dashurisë. Nënë Tereza është dhe mbetet krenaria e përbashkët e shqiptarëve. Në kohë sfidash, ajo e ngriti shqiptarinë në piedestalin e dinjitetit botëror. Për një shtet të ri si Kosova, shpallja e kësaj dite si festë zyrtare do të ishte një akt lavdie kombëtare dhe një dëshmi e vlerave tona para botës.

Bazuar në librat monografik të dr. don. Lush Gjergjit, dedikuar Shën Terezës i gjëjmë vizitat e saja në Kosovë, të cilat vizita janë dëshmi e lidhjes së saj të pashkëputshme me shqiptarët.

Ndër ato vizita po i veçojmë:
● Me 9–12 korrik 1970 në Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj dhe Gjakovë.
● Me 28–30 mars 1978 në Shkup, Ferizaj, Prizren dhe Letnicë të Vitisë.
● Me 27–28 korrik 1980 në Binçë të Vitisë dhe më pas në Prishtinë, ku u takua me drejtuesit e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës.
● Me 22–23 tetor 1982 në Shkup, Letnicë, Ferizaj, Prizren, Pejë dhe Zllakuqan të Klinës. Pikërisht në këtë vizitë të fundit kam qenë edhe vetë dëshmitar i vizitës së saj në Zllakuqan të Klinës.

Nënë Tereza e thirrur nga Zoti brenda thirrjes misionare më 10 shtator 1946, e themeloi rregullin Misionarët e Bamirësisë, Kongregacion që sot vepron në mbi 130 shtete ndërkombëtare, duke u kujdesur për të varfërit, të sëmurët, jetimët dhe të harruarit e shoqërisë. Ajo veq tjerash u nderua me çmimet më të larta botërore duke veçuar Çmimin Nobel për paqe, ndërsa dëshmi të krenarisë së saj kombëtare për ne shqiptarët mbeten fjalët monumentale: “Me anë të gjakut jam shqiptare, me nënshtetësi indiane, me besim jam murgeshë katolike, me thirrje i përkas botës, me zemër i përkas zemrës së Jezusit”.

Miratimi i Ligjit për festat kalendarike zyrtare dhe Shpallja e ditës së shënjterimit të Shën Nënë Terezës – Gonxhe Bojaxhiut si ditë feste shtetërore në Republikën e Kosovës, veq tjerash është një obligim dhe detyrim moral, kulturor dhe kombëtar. Kjo do të ishte një ditë lutjeje, meditimi, përkujtimi dhe reflektimi shumëdimensional, shpirtëror, letrarë kulturor. Pikërisht do të ishte një ditë krenarie kombëtare dhe një dëshmi se Republika e Kosovës, di t’i nderojë bijat e veta më të ndritura, duke u nderuar denjësisht në mesin shënjtorëve dhe radhitur në mesin e korifejve të kombeve që çmojnë trashëgiminë shpirtërore dhe vlerat humane universale dhe njerëzore.

Klinë, me 5 shtator 2025.