Refuzohet kërkesa e Haxhi Shalës për lirim me kusht

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë refuzuar kërkesën e Haxhi Shalës për lirim me kusht.

Vendimi është marrë nga kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova më 14 korrik 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimit, Shala kishte parashtruar se kishte përmbushur gjysmën e dënimit më 11 qershor 2025 dhe se dy të tretat e tij do i përmbushte më 11 dhjetor 2025. Ai kishte thënë lirimi i tij duhej të shqyrtohej në përputhje me nenin 90 të Kodit Penal të Kosovës, i cili sipas tij e lejonte lirimin e tillë me kusht pas përmbushjes së gjysmës së dënimit të shqiptuar.

Z. Shala gjithashtu parashtroi se zbatimi i nenit 90 të KPK-së do të plotësonte një boshllëk që rrjedh nga neni 51 (2) i Ligjit, i cili parashikon mundësinë e ndryshimit apo modifikimit të dënimit, duke qenë se kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara nuk rregullon shprehimisht kur një ndryshim apo modifikim i tillë mund të jepet. Ai parashtroi se rregulli i dy të tretave parashihet vetëm për uljen e dënimit, dhe neni 10 i Udhëzimit Praktik nuk “nënkupton se Kryetarja mund të modifikojë ose ndryshojë dënimin” vetëm nëse ulja e dënimit nuk është konsideruar e përshtatshme”, thuhet në vendim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kundërshtuar këtë qëndrim duke pretenduar se Shala po përpiqet në mënyrë të gabuar të zbatojë këtë nen në kundërshtim me Ligjin për DhSK-së.

“ZPS më tej parashtroi se dispozitat e KPK-së nuk plotësojnë asnjë boshllëk, pasi kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara parashikon posaçërisht uljen, modifikimin dhe ndryshimin e dënimeve”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet se kryetarja e DhSK-së në disa raste të mëparshme kërkesat për shqyrtimin e uljes, modifikimit apo ndryshimit të dënimit bëhen të pranueshme për shqyrtim vetëm në rast se kanë përmbushur dy të tretat e dënimit.

Ndërsa, për argumentin e Shalës së neni 90 i KPK-së është i zbatueshëm në DhSK, kryetarja ka thënë se nuk mund të mbështetet.

Kryetarja thotë se letrat e shkëmbyera në mes Kosovës dhe BE-së, të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës, parashikojnë që strukturat e DhSK-së do të rregullohen nga statusi dhe rregullat e tyre të procedurës dhe provave, duke përfshirë edhe dispozitat për kufizimet në dhënien e faljeve, paraburgimit ose ekzekutimin e dënimeve jashtë vendit.

Kryetarja ka thënë në vendimin e saj se funksionimi i DhSK-së rregullohet ekskluzivisht me nenin 162 të Kushtetutës dhe kuadrit juridik lex specialist (që i referohet ligjit të veçantë për DhSK-në)

Kjo përfshin Ligjin me referenca të posaçme për ligjet e aplikueshme të Kosovës, Rregullat dhe dokumentet tjera juridike të Dhomave të Specializuara, si udhëzimet praktike, të miratuara në përputhje me nenin 19 (6) të Ligjit. Sa i përket ligjeve të tjera të Kosovës të zbatueshme, neni 3 (4) i Ligjit përcakton shprehimisht se asnjë ligj tjetër i Kosovës, që nuk është përfshirë shprehimisht në Ligj, nuk do të zbatohet për organizimin, administrimin, funksionet apo juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Ekzekutimi i dënimeve, që përfshin edhe mundësinë e lirimit të parakohshëm, është pjesë përbërëse e administrimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendim.

Sipas kryetares Trendafilova, çdo ligj tjetër i Kosovës që nuk është përfshirë në Ligjin për DhSK-në, nuk është i zbatueshëm.

…çdo ligj tjetër i Kosovës që nuk është përfshirë shprehimisht në Ligj nuk është i zbatueshëm para Dhomave të Specializuara sipas fjalisë së parë të nenit 3 (4) të Ligjit. Meqenëse kuadri i aplikueshëm para Dhomave të Specializuara nuk përfshin referencë për nenin 90 të KPK-së, çdo zbatim i tij do të ishte në kundërshtim me nenin 3 (4) të Ligjit dhe nenin 162 të Kushtetutës”, thuhet më tej në vendim.

Si rrjedhojë, kryetarja ka thënë në vendimin e saj se nuk qëndron pretendimi i Shalës se një boshëllëk i supozuar në kuadrin juridik të DhSK-së plotësohet me nenin 90 të KPK-së.

“Duke marrë parasysh si më sipër, kërkesa për përmbushjen e dy të tretave të dënimit është një kërkesë standarde për çdo kërkesë për ulje, modifikim apo ndryshim të dënimit sipas kuadrit rregullator të posaçëm përpara Dhomave të Specializuara”, thekson vendimi.

Si rrjedhojë, u refuzua kërkesa e Shalës si e papranueshme për shqyrtim pasi nuk i ka përmbushur dy të tretat e dënimit të tij.

Ndryshe, më 4 shkurt 2025, është shpallur aktgjykimi ndaj Shalës dhe ndaj dy bashkë të akuzuarve tjerë (Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit), me ç’rast trupi gjykues i pranoi marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Si rrjedhojë, Haxhi Shala u dënua me tri vite burgim dhe Bahtijari e Januzi me nga dy vite.

Trupi gjykues urdhëroi Shalën që të paguajë 400 euro për viktimën 1, ndërsa Januzin me 100 euro. Obligime financiare nuk u përcaktuan për Bahtijarin. Ky obligim është kryer dhe viktimës më 17 shkurt 2025 i janë dorëzuar mjetet.

Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u liruan me kusht. Vendimi për lirimin e tyre u mor më 19 shkurt 2025, ndërsa lirimi iu mundësua më 21 shkurt 2025.

Sabit Januzi, Haxhi Shala dhe Ismet Bahtijari pranuan fajësinë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe atë të frikësimit përmes një marrëveshje të arritur në mes tyre dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Kjo marrëveshje u arrit pak ditë para se të nisë gjykimi ndaj tyre në nëntor të 2024-ës.

Gjatë seancave për ndryshim të deklaratave të fajësisë, Bahtijari dhe Januzi ishin shprehur të penduar për veprat për të cilat e pranuan që i kanë kryer.