Ramiz Lladrovci: PDK, 24 vjet nga themelimi, më shumë se kurrë i duhet Kosovës!

Me rastin e 24 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka shkruar se “në këtë përvjetor, më shumë se kurrë, misioni dhe vizioni i PDK-së i duhet Kosovës, për të përshpejtuar e mirëmbajtur proceset integruese, për të fuqizuar sigurinë dhe aleancat historike, për të rritur mirëqenien, ndaljen e shpërnguljes së të rinjve tanë dhe perspektivën për qytetarët tanë”.

Shpreh falënderim për të gjithë kontribuesit e PDK-së ndër vite e dekada dhe përgëzoj anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët me rastin e 24 vjetorit të themelimit të PDK-së, kësaj force e energjie të pashterrshme në dobi të kombit, Kosovës dhe qytetarëve të saj, për zhvillimin dhe fuqizimin e shtetit tonë brenda vlerave euro-atlantike, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i plotë:

Partia Demokratike e Kosovës nuk guxon të ndalet, sepse, ndalet Kosova!
Këto fjalë sa të vërteta, aq përmbajtjesore, dëshmojnë më së miri energjinë e jashtazakonshme të një partie të themeluar pas mbarimit të luftës tonë çlirimtare, nga drejtuesit dhe anëtarët e Drejtorisë politike të UÇK-së, ish drejtues e ushtarë të UÇK-së, atdhetarë e kontribues për liri, qytetarë nga të gjitha shtresat dhe anët e Kosovës.

Kisha fatin, të jem në Këshillin nismëtar dhe Kryesinë e Këshillit nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike të Kosovës, për të vijuar me organizim politik amanetin e gjeneratave, më të dashurve tanë, të prijësve tanë, të idealeve më sublime, për formimin dhe fuqizimin e shtetit tonë.

PDK u themelua kur më së shumti i duhej Kosovës, demokracisë e pluralizmit, duke mos harruar kurrë, heronjtë, dëshmorët, martirët, varrezat masive, të pagjeturit tanë dhe plagët e rënda që na shkaktoi lufta çlirimtare.

Ecja ballhapur e PDK-së, është ecje e historisë tonë të re, duke i kontribuar shtetformimit e shtetndërtimit si asnjë parti tjetër, duke lëvizur përpara procese, aleanca dhe vendime të rëndësishme për historinë tonë të re, për Republikën e Kosovës.

Në këtë shënim të përvjetorit, me neve fizikisht nuk janë heronjtë e luftës dhe paqes, Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha, Hysniu, Nasimi, Salihu, Pjetri, por, kontributi i tyre, për çlirimin e vendit, shtetformimin e shtetndërtimin, mbetet historik.

Në këtë përvjetor, më shumë se kurrë, misioni dhe vizioni i PDK-së i duhet Kosovës, për të përshpejtuar e mirëmbajtur proceset integruese, për të fuqizuar sigurinë dhe aleancat historike, për të rritur mirëqenien, ndaljen e shpërnguljes së të rinjve tanë dhe perspektivën për qytetarët tanë.

Shpreh falënderim për të gjithë kontribuesit e PDK-së ndër vite e dekada dhe përgëzoj anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët me rastin e 24 vjetorit të themelimit të PDK-së, kësaj force e energjie të pashterrshme në dobi të kombit, Kosovës dhe qytetarëve të saj, për zhvillimin dhe fuqizimin e shtetit tonë brenda vlerave euro-atlantike.

Gëzuar, gëzuar, gëzuar!