Kosova dhe Shqipëria formojnë njësinë e përbashkët hetimore kundër krimit

Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Republikës së Shqipërisë (SPAK) kanë formuar një njësi të përbashkët hetimore kundër krimit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj dhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, kanë nënshkruar sot marrëveshje me të cilën kanë formuar njësinë e përbashkët hetimore, të përbërë nga prokurorë të të dyja prokurorive përkatëse.

Sipas një njoftimi për media, qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshje në mes të dy krerëve të institucioneve parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit.

“Kryeprokurori Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani, nënshkrimin e kësaj marrëveshje e kanë vlerësuar të rëndësishëm duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë mes dy institucioneve të drejtësisë” – thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se nënshkruesit e marrëveshjes, u zotuan për bashkëpunim të ngushtë në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.