Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente në rrugën ‘Sheremet Ismajli’ – 7 vite pa kanalizim e asfalt

Një lexues i KLINA.info, ka përcjellë shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e rëndë të rrugës dhe kanalizimit në rrugën “Sheremet Ismajli” në Klinë, e cila gjendet vetëm 500 metra larg Komunës.

Sipas tij, banorët e kësaj zone janë në pritje tash e 7 vite për rregullimin e kanalizimit, mirëpo deri më sot nuk është bërë asnjë zgjidhje konkrete.

Ai thotë se së fundi kanë kërkuar të paktën shtresimin e rrugës me asfalt, pasi kanalizimi nuk u rregullua, por as kjo nuk është realizuar.

“Veç 500 metra larg Komunës jemi – as kanalizim, as asfalt. Zgjidhje nuk po bëhet,” – thekson banori në ankesën e tij.

Ai apelon që institucionet komunale të ndërhyjnë sa më parë, pasi banorët e kësaj rruge po përballen me kushte të vështira jetese, përkundër afërsisë me qendrën e qytetit.