Putin takohet me sekretarin e OKB-së: Kosova si shtet i pavarur është njohur nga shumë vende, është fakt!

Presidenti rus, Vladimir Putin priti të martën në Kremlin Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për të biseduar rreth krizës ukrainase.

Lëvizja e Moskës për të njohur republikat e shkëputura të Donetskut dhe Luganskut bazohet në rastin e pavarësisë së Kosovës, të krijuar nga gjykata e cila mori mbështetjen e OKB-së, i tha Putin, Guterres.

“Më kujtohet shumë mirë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili thotë se në ushtrimin e të drejtës për vetëvendosje, një territor i asnjë shteti nuk është i detyruar të kërkojë leje për të deklaruar sovranitetin e tij tek autoritetet qendrore të vendit”, tha Putin, duke aluduar për Republikën e Kosovës.

“Shumë shtete në botë, duke përfshirë edhe kundërshtarët tanë në Perëndim, e kanë bërë këtë në lidhje me Kosovën. Kosova është njohur nga shumë shtete – është fakt – nga shumë shtete perëndimore është njohur si shtet i pavarur. Ne bëmë të njëjtën gjë në lidhje me republikat e Donbasit”, tha Putin, duke shtuar se republikat më pas i kërkuan Moskës ndihmë ushtarake – të cilën Rusia e dha në përputhje të plotë me Kartën e OKB-së.

Përveç diskutimit të së drejtës ndërkombëtare dhe bazës ligjore për operacionin ushtarak të Rusisë, Putin dhe Guterres folën për situatën humanitare në terren në Ukrainë.

Nga ana tjetër, shefi i OKB-së tha se organizata dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ishin të gatshëm të ofrojnë ndihmë në evakuimin e civilëve që thuhet se janë bllokuar së bashku me luftëtarët ukrainas në fabrikën e rrethuar të çelikut Azovstal në qytetin e Mariupol.

Guterres theksoi se vetë OKB-ja ende nuk e njeh Kosovën si entitet të pavarur, duke e parë atë si pjesë të Serbisë. Putin, megjithatë, u shpreh se precedenti ligjor ekziston ende, pasi Kosova mori njohje të gjerë në Perëndim.