Protestojnë banorët e Sferkës, kërkojnë të merren masa për personin me të meta mendore që po shkakton probleme

Banorët e fshatit Sferkë, në Klinë, kanë protestuar sonte rreth orës 22:00 para stacionit policor në Klinë, duke ngritur shqetësime për dëmet e vazhdueshme që, sipas tyre, po shkakton një person me me të meta mendore, me inicialet A.G.

Sipas banorëve, i njëjti ka dëmtuar trafon e rrymës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa në raste të tjera ka vendosur gurë në rrugë dhe ka bllokuar qarkullimin.

Ata pretendojnë gjithashtu se ai ka ndërhyrë në kabllot elektrike duke i vendosur në një shtyllë, duke rrezikuar sigurinë publike, shkruan Klina Info.

Banorët thonë se veprimet e tij kanë shkaktuar dëme në prona dhe shqetësim të vazhdueshëm për komunitetin, përfshirë edhe ngacmime ndaj fëmijëve dhe banorëve të tjerë.
Sipas tyre, personi në fjalë ishte dërguar më herët për trajtim në spital në Shtime, por ka arritur të largohet nga aty. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar dëme të mëtejshme në zonë.