SHKOLLA E MESME E LARTË “LUIGJ GURAKUQI” SHËNOI 54- VJETORIN E THEMELIMIT

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, z. Qemajl Sejdija dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Fatjona Gashi, morën pjesë në organizimin e shkollës së mesme të lartë “Luigj Gurakuqi”, me rastin e kremtimit të 54-vjetorit të themelimit të saj.

Gjatë këtij manifestimi, drejtori i shkollës, prof. Skender Maxharraj, përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe me një fjalë rasti, tha: “Jemi tubuar sot para këtij tempulli të dijës të shënojmë 54- vjetorin e punës së suksesshme edukativo-arsimore të gjimnazit në Klinë. Njëherësh po shënojmë edhe 143- vjetorin e lindjes dhe 97- vjetorin e rënies së patriotit, luftëtarit, poetit e arsimdashësit të madh Luigj Gurakuqi, emrin e të cilit me nder dhe krenari e mbanë shkolla jonë. Vizionin për krijimin e një shkolle bashkëkohore sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare që e filloi pas përfundimit të luftës, shkolla jonë po e realizon duke marrë hapa të gjithanshëm e praktik në të gjitha fushat e veprimit”, shtoi drejtori Maxharraj.

Kryetari Elezaj në fjalën e tij, u drejtua para të pranishmëve me fjalët që ndjehet i lumtur që gjendej në këtë festë të madhe të kësaj vatre të dijës.

“Sot po festojmë 54-vjetorin e ekzistencës, zhvillimit, mbijetesës, për të cilat kjo shkollë ka dhënë shumë dijetarë e gjenerata. Kjo shkollë dhe historia e saj, na obligon të investojmë sa më shumë dhe sa më mirë në mësimnxënie, sepse puna jonë e përbashkët dhe rezultatet e tuaja të dëshmuara në të ardhmen do të jenë mburrje për të gjithë ne”, tha në fund Elezaj.

Me vargje të poezive e këngë me motive arsimore e atdhedashëse, të përgatitur nga mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle është përmbyllur ky manifestim.