Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj shtatë personave për vitin që s’kishte pasur zgjedhje në Kosovë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në qershor të vitit 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, të cilët i akuzonte për mashtrim në votime.

Në këtë rast, akuzoheshin ish-kryesuesi i qendrës së vendvotimit në shkollën fillore “Shaban Polluzha”, në Drenas, Selman Selmani dhe anëtarët e komisionit, Arsim Istogu, Bedri Kastrati, Liridon Kuliqi, Abit Gashi, Valbone Tahiraj dhe Taibe Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria pretendonte se të akuzuarit e kishin kryer një vepër të tillë penale gjatë mbajtjes së zgjedhjeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës të vitit 2011, në të cilin vit, Kosova nuk kishte proces zgjedhor.

Në aktakuzën që e kishte përpiluar prokurorja Merrushe Llugiqi, nuk figuronte data e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, por vetëm viti 2011.

Pas katër vjetëve, që nga ngritja e kësaj aktakuze, Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka shpallur të pafajshëm të shtatë të akuzuarit.

Këtë aktgjykim e ka shpallur të premten, kryetari i trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra.

Sipas tij, fillimisht prokuroria kishte pretenduar se vepra penale ishte kryer në vitin 2011, mirëpo më vonë prokuroria kishte bërë ndryshimin e kohës së kryerjes së veprës penale, në vitin 2010, por sipas tij, në formularët e përpilimit të rezultateve nuk figurojnë emrat e asnjërit të akuzuar.

“Nuk e di si ka ndodhur. Ka prova në kohë kundërthënëse njëra me tjetrën në dispozitivin e aktakuzës, në qoftë se do të mbetej koha e kryerjes viti 2011, formularët e përpilimit të rezultateve nuk figurojnë emrat e asnjërit të akuzuar, janë emra krejt tjerë”, ka thënë gjykatësi Kalludra.

Ai ka deklaruar se në raportin e anëtarëve të komisioneve të vitit 2010, kishin qenë emrat e të akuzuarve, ndërsa në raportin e vitit 2011, persona të tjerë.

Sipas gjykatësit Kalludra, në shkresa të lëndës i vetmi fakt që ishte evidentuar kishte qenë vetëm se të akuzuarit kishin qenë anëtarë të komisionit.

“Nëse i referohemi kohës së vitit 2010, nuk ekziston asnjë provë që dëshmon qoftë mirë apo jo mirë, përveç atyre që të akuzuarit kanë qenë anëtarë të komisionit para fillimit të procesit të votimit, vetëm kjo është e evidentuar në shkresa të lëndës dhe asgjë më tepër për rrjedhjen e atij procesi në shkresa të lëndës nuk ka asnjë provë”, ka thënë gjykatësi Kalludra.

Për këto arsye, ai tha se gjykata kishte vendosur që të akuzuarit të lirohen nga akuza.

Sipas aktakuzës së ngritur me 4 qershor 2015, gjatë mbajtjes së zgjedhjeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, siç i referohet aktakuza, vitit 2011, në qendrën e vendvotimit në shkollën fillore “Shaban Polluzha”, në fshatin Polluzhë të Komunës së Drenasit, i akuzuari Selman Selmani në cilësinë e kryesuesit ndërsa të akuzuarit Arsim Istogu, Bedri Kastrati, Liridon Kuliqi, Abit Gashi, Valbone Tahiraj dhe Taibe Morina si anëtar të këtij komisioni kishin falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve të votimeve.

Në aktakuzë thuhet se me rastin e numërtimit të votave të kandidatëve dhe subjekteve politike, iu kishin hequr vota disa kandidatëve, ndërsa iu kishin shtuar disa kandidatëve dhe subjekteve politike.

Sipas prokurorisë, ata kishin falsifikuar rezultatin final të zgjedhjeve, duke regjistruar në formular si rezultat jo të saktë gjithsej 679 vota, duke pasur dallime në vota të subjekteve politike, ku LDK kishte pasur dallim për 11 vota, VV për një votë, PDK 667 vota, ndërsa në fund të akuzuarit me nënshkrimet e tyre kishin vërtetuar kinse të dhënat në formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve ishin të sakta.

Prokuroria shtatë të akuzuarit i ngarkonte me veprën penale “mashtrimi në votime”./Klina info/