Projekti P92, rrjeti i ri social që po përgatitet nga Zuckerberg

Pas blerjes së Twitterit nga Elon Musk, u shfaqën disa konkurrentë të vjetër dhe të rinj të këtij rrjeti social, por duket se konkurrenti më i madh dhe më serioz ende nuk ka ardhur dhe është veçanërisht interesant se kush po e zhvillon atë. Gjegjësisht, aktualisht po funksionon rrjeti social që do t’i mundësojë kryesisht postimet me tekst – Meta.

Kompania, rrjetet sociale dhe platformat e komunikimit të së cilës (Facebook, Instagram, Messenger dhe WhatsApp) përdoren nga miliarda njerëz, tani po përgatit një rrjet të ri social me të cilin dëshiron t’i marrë disa nga përdoruesit e Twitter. Sipas burimeve të njohura me situatën, projekti, me emrin e koduar P92, po zhvillohet si një aplikacion i veçantë në të cilin përdoruesit do të identifikoheshin duke i përdorur kredencialet e tyre në Instagram. Po ashtu, njeriu i parë i Instagramit, Adam Mosseri, është në krye të atij projekti.

Meta konfirmoi gjithashtu se ata po punojnë realisht në një platformë të tillë. Zyrtarë nga Meta iu përgjigjën pyetjeve të mediave se po eksploronin një rrjet social të posaçëm të decentralizuar për ndarjen e përmbajtjeve tekstuale dhe theksuan se ka një vend në treg për “hapësira të veçanta” ku krijuesit dhe personazhet publikë mund të ndajnë informacione për interesat e tyre. Për të gjithë ata që e ndjekin pak më mirë situatën në Meta dhe rreth Instagramit, ky lajm nuk është surprizë, pasi një gjë e ngjashme u diskutua në fund të vitit të kaluar.

Përndryshe, mediat kanë njoftuar se punonjësit e Meta-s diskutuan në takime të mbyllura për një platformë të fokusuar në postimet me tekst që Meta mund ta zhvillojë brenda Instagramit ose si një aplikacion më vete, por që do të ndërtohej në teknologjinë e Instagramit. Thashethemet e fundit thonë se ka mbizotëruar rryma që favorizon opsionin e dytë, pra një aplikacion më vete.

Duke qenë se Meta ka komentuar se aktualisht janë ende duke “hulumtuar” për zhvillimin e një aplikacioni të tillë, nuk dihet nëse kanë nisur tashmë zhvillimin e tij apo nëse gjithçka është ende në fazën e planifikimit dhe ekziston gjithashtu mundësia që Zuckerberg të mund të heqë dorë nga ky projekt./Engadget