Presidenti i KF Dukagjinit, Fabian Veseli: Ekipi është përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Rijekën, do tentojmë kalimin e këtij raundi

Skuadra e Dukagjinit nga Klina do të ballafaqohet me ekipin nga Kroacia, Rijeka.

Dukagjini dhe Rijeka do të takohen sot nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Presidenti i klubit të Dukagjinit, Fabian Veseli theksoi se skuadra e tij është maksimalisht e përgatitur për këtë duel dhe do të tenojnë kalimin tutje në raundin e tretë kualifikues.

“Po presim një angazhim maksimal dhe një ndeshje mjaft të fortë, pavarësisht se kundërshtari duket mjaft i fortë ne mendojmë se do e kalojmë edhe këtë kundershtar duke parë ndeshjen e kaluar në Gjibraltar”, tha fillimisht Veseli për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas i pari i Dukagjinit u shpreh tejet i lumtur me punën dhe përkushtimin e lojtarëve dhe stafit të trajnerëve.

“Ekipa është mirë e përgatitur, jemi shumë të kënaqur me lojtarët dhe stafin e trajnerëve, po punojnë shumë dhe shpresojmë që me sukses te ia dalim”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Dukagjini në raundin e parë kualifikues të Conference League fitoi ndaj FC Europa, fillimisht në Prishtinë me rezultatin 2-1, e më pas edhe në Gjilbratar me rezultatin 2-3.