Politikë Pas më shumë se tre orësh përfundon takimi mes Kurtit dhe Njësisë më elitare të Policisë

Takimi i sotëm midis kryeministrit Albin Kurti dhe pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese ka përfunduar pas gati tri orësh

Kryeministria do të dalë me një komunikatë lidhur me atë që është diskutuar mes dy palëve.

Takimi ka ardhur pas protestës që Pjesëtarët e Njësitit Speciale Intervenues e kishin më 1 nëntor para Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë të marrë para dhjetë ditësh.

Sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për NJSI-në janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë.

Në fjalimin e njërit prej pjesëtarëve të këtyre njësive, është thënë se premtimet e Qeverive ndaj tyre nuk janë realizuar “qe mbi 10 vjet”.

“I dini kërcënimet dhe rreziqet që bartin këto dy njësi gjatë gjithë kohës. Mos luani me dinjitetin tonë. Mos luani me ndjenjat e familjeve tona”, ka thënë ai para mediave, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai shtoi se shpreson që përfaqësuesit e këtyre njësive të takohen shpejt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe që Qeveria të marrë për bazë kërkesat e tyre.

Këto pak fjalë pjesëtari i policisë elitare i tha para ndërtesës së Qeverisë, aty ku shefi i ekzekuitivit e ka zyrën e punës së tij.

Por, ai nuk e mori mundin atë ditë të dalë karshi policëve protestues – që flasë me ta – por as t’i përshëndes dhe falënderojë.

Kurti një muaj më parë i rekomandoi popullit t’i “përshëndesin dhe t’i falënderojnë policët e Kosovës kudo që i shohin”.

Këto fjalë të tij erdhën pas intervenimit të Policisë së Shtetit në rastin e Banjskës, konkretsisht pas intervenimit të Njësitit që sot protestuan, por ai vetë zgjedhi të hesht.

Ashtu siç heshtën edhe deputetët e tij në Kuvend, kundrejt kërkesave që vazhdimisht i kanë shprehur Sindikata e Policisë.

Ligjvënësit e tij, për disa herë me radhë nuk kanë shkuar fare në Kuvend – kur për votim është hedhur Rezoluta për mbështetje financiare të policëve.

Çfarë kërkon Policia nga shteti?

5 mijë e 623 policë të Policisë së Kosovës, kanë dhjetë kërkesa specifike për shtetin, dhe paralajmërojnë se është koha e fundit që ato të rezlizohen.

Kërkesat e tyre janë të renditura më poshtë:

1. Ligji i pagave;

2. Shtesa e rrezikshmërisë në punë;

3. Shtesa për punë të veçantë;

4. Klasifikimi në koeficient për stafin civil;

5. Shujta mujore;

6. Shpërblimi pë fund vit për performancë të mirë;

7. Tre paga përcjellëse për të pensionuarit;

8. Zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para;

9. Sigurimi shëndetësorë dhe jetësor;

10. Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës

Ndërsa, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ditë më parë ka dalë me një komunikatë për media ku shpalosi dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës, pasi siç thonë ata kanë analizuar zhvillimet e fundit duke përfshirë edhe propozimin e tyre për shtesat për rrezikshmëri.

Siç bën të ditur ky organ, pas mbledhjes së mbajtur sot, konstatuan se shtesat e propozuara nga Qeveria janë të ulëta dhe nuk e arsyetojnë punën dhe rrezikshmërinë në Policinë e Kosovës.

Teksa, dy kërkesat e tyre të dalura nga kjo mbledhje janë:

1. Shtesa për rrezikshmëri të mos mbetet më e ulët se ajo që është pranuar para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, që ka qenë në shtatë nivele duke filluar nga 105 euro dhe më larta 215 euro, ose me përqindje në pagën bazë duke filluar nga 25% deri në 50%.

2. Ndërsa për stafin civil, koeficienti të harmonizohet me vendin e punës dhe profesionet që i kryejnë.

“Pakënaqësia te të gjithë pjestarët e policisë është e madhe, prandaj kërkojmë që në afat sa më të shkurtë të bëhet realizimi i këtyre kërkesave dhe kërkesave paraprake me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe mirëqenjes në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Policisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndryshe, pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovë, 24 vjet më parë, pjesëtarët e saj vazhdojnë të punojnë pa sigurim shëndetësor dhe jetësor.

Kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental për Policinë e Kosovës është e kahmotshme, por që deri më tani, asnjë nga qeveritë e deritashme të Kosovës nuk ka arritur ta plotësojë.

Ndryshe, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj, në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së vendit, garantimin e rendit dhe sigurisë, në mënyrë që të ofrojë një shërbim efikas policor dhe profesional ndaj të gjithë qytetarëve.