Policia e arreston serbin me nofkën “Rusi”, i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it

Policia e Kosovës me anë të një komunikate, ka njoftuar se e ka arrestuar një serb mashkull, me inicialet N. O, me vendbanim në Mitrovicë të veriut, e i njohur sipas policisë me nofkën “Nemac” dhe “Rusi”.

“Rusi”, sipas Policisë po dyshohet për sulm ndaj KFOR-it, me datë 29 maj.

E plotë:
Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it.

Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 qershor 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin.