Policia del me komunikatë për kërcënimin që mori kryeministri Kurti

Policia e Kosovës, ka dalë me një komunikatë për media lidhur me rastin e kërcënimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Policia njofton se me të marrë informacioni janë shtuar masat e sigurisë personale të Kurtit, përfshirë edhe mbrojtjen e afërt, por në këtë aktivitet nuk ka qenë i angazhuar asnjë zyrtar i Njësive Speciale.

“Fillimisht Policia e Kosovës, ka shtuar masat e sigurisë personale të Kryeministrit përfshirë këtu mbrojtjen e afërt, por gjithashtu edhe ka dërguar njësi të reagimit të shpejtë nga Regjioni i Prishtinës të përbërë nga dy zyrtarë policorë, në sigurim te shtëpia e banimit të Kryeministrit. Policia e Kosovës konfirmon se në këtë aktivitet nuk ka pasur të angazhuar asnjë zyrtarë të njësive speciale”, thuhet në kumtesën e policisë.

Në komunikatën e Policisë bëhet e ditur se janë iniciuar hetimet dhe se Njësia e Reagimit të Shpejtë është larguar nga shtëpia e të parit të Qeverisë.