Policia del me detaje për arrestimin e Tush Frrokut, të dyshuarit për vrasjen e rëndë në Klinë

Pas më shumë se një jave në arrati, i dyshuari për vrasjen e 47-vjeçarit, Anton Prela, në lokalin ‘Coyote Lounge Bar’ në Klinë, Tush Frroku, ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës,

Policia ka dalë me njoftim për arrestimin e Frrokut, ku thuhet se pas një pune intensive sot është arritur që të lokalizohet vendndodhja e tij dhe i njëjti është arrestuar.

“Pas njё pune intensive tё Sektorit Rajonal pёr Hetime DRP Pejё, tё asistuar edhe nga njësitet tjera tё Policisё sё Kosovёs, sot me datё 15.08.2023 kemi arritur ta lokalizojmë lokacionin e personit tё dyshuar dhe i njëjti ёshtё arrestuar. I dyshuari ёshtё kёrkuar edhe pёrmes kёrkesёs pёr bashkёpunim me qytetarёt, tё cilёt i falenderojmё pёr ofrimin e informatave tё cilat e ndihmojnё Policinё nё arrestimin e personave tё dyshuar pёr vepra tё ndryshme penale”, thuhet në komunikatë.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar dhe më pas me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje pёr 48- orё.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha për Sinjalin se shumë shpejt pritet që të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Frrokut, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’.

“Tush Frroku gjendet në stacion policor. I njëjti do të ndalohet për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe njëkohësisht brenda afatit ligjor Prokurori i Shtetit do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ që ka ndodhur në Klinë”, tha Nikçi.

Në bazë të informacioneve të para, Frrokaj ishte dhëndri i të ndjerit Prela dhe motivi që çoi në vrasjen e tij dyshohet se lidhet me disa konflikte familjare.