Dorëzohet i dyshuari për vrasjen në Klinë

Tush Frroku, i dyshuari për vrasjen që ndodhi javën e kaluar në një kafeteri të Klinës, është dorëzuar të martën dhe ndodhet në stacion policor.

I njëjti pritet që të ndalohet për 48 orë me urdhër të prokurorit të rastit, raporton Paparaci.

Lajmin për Paparacin e ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.

“Tush Frroku gjendet në stacion policor. I njëjti do të ndalohet për 48 orë me urdhër të prokurorit”, tha ai të martën për Paparacin.

Ai po ashtu tregoi se brenda afatit do të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Frrokut.

Të hënën e kaluar, Tush Frroku, dyshohet se e privoi nga jeta mikun e tij, vëllain e gruas, Anton Prelën.

Ngjarja kishte ndodhur brenda një lokali në qendër të Klinës. Ai ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, deri më sot kur i njëjti është dorëzuar para organeve kompetente.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se të hënën e kaluar rreth orës 16:50 pati të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Leonard Palucaj” në Klinë.

Më pas u njoftua edhe për vdekjen e Anton Prelës, si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Vdekja e tij ishte konfirmuar nga mjeku kujdestar në Spitalin Rajonal të Pejës.