Shkruan: Lekë Mrijaj
Më shumë se tre katër herë e kam vizituar këtë zonë të lashtë të Dresnikut të Klinës dhe çdo herë zona në fjalë më është rishfaqur ndryshe para syve të mi, duke më dhënë gjurmë të reja të historisë sonë të lavdishme. Kjo zonë arkeologjike nuk është thjesht një tokë e braktisur, por është një libër i thellë, një libër “biblik” i Besëlidhjes së Re, që ruan dhe rrëfen rrënjët tona të hershme shqiptare.
Për rëndësinë e këtij vendi të zbuluar dhe të çmuar qysh në fillim vitet ’70-ta ka folur me kompetencë edhe prof. dr. Zef Mirdita, duke theksuar rolin e tij të veçantë për këtë trashëgimi të lashtë historike.
Sipas ekspertëve të fushës, ky lokalitet arkeologjik, i vendosur rreth 1.5 kilometra në lindje të Klinës, është një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe më gjerë. Arkeologu ynë i njohur, prof. Masar Valla nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, ka theksuar disa herë në mediat e shkruara dhe elektronike se vlera e Dresnikut Dardan nuk i përket vetëm trashëgimisë sonë kombëtare, por edhe asaj evropiane dhe botërore.
Zbulimet e deritanishme dëshmojnë për një qytet të zhvilluar në periudhën romake, në shekujt II–III pas Krishtit. Aty janë evidentuar rezidenca luksoze të zbukuruara me mozaike shumëngjyrëshe dhe figura gjeometrike të punuara me mjeshtëri të jashtëzakonshme. Nga viti 2012 deri më 2015, gjatë fushatave të gërmimeve arkeologjike, janë zbuluar struktura që tregojnë një nivel të lartë organizimi dhe jetese urbane të kohës.
Njëkohësisht më mbresëlënëse është një sallë e gjerë ceremoniale brenda një ndërtese luksoze, qoftë pallat, vilë romake apo banesë aristokratike, me dysheme të mbuluar me mozaik të pasur dhe shumëngjyrësh. Këto mozaike nuk janë vetëm dekore apo zbukurime, por janë dëshmi të artit, kulturës dhe pasurisë së banorëve të dikurshëm të aristokratëve. Të tilla vepra i takonin vetëm ndërtesave të Konstantinit të Madh, elitës së tij, si edhe rezidencave të pasura dhe pallateve të fuqishme të botës emancipuese.
Në këtë lokalitet ndodhet gjithashtu edhe një Kishë e vjetër paleokristiane, dëshmi e vazhdimësisë shpirtërore dhe kulturore të kësaj treve qysh në fillesat e krishterimit. Kjo e pasuron edhe më tej karakterin historik të vendit, duke treguar se Dresniku ynē Dardan ka qenë jo vetëm një qendër e zhvilluar urbane, por edhe një vatër e hershme e jetës shpirtërore dhe kombëtare në Dardanin Shqiptare. Po ashtu, në qendër të këtij qyteti të lashtë është identifikuar një mur rrethues me gjerësi rreth 3.7 metra, i pajisur me tri kulla të mëdha mbrojtëse. Këto struktura të fuqishme tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një kala të mirëfilltë, një qendër të fortifikuar urbane dhe jo thjesht një vendbanim të braktisur. Brenda mureve janë zbuluar banesa të shumta me mure të pikturuara dhe sisteme hipokauste (sisteme të hershme të ngrohjes qendrore), që dëshmojnë një nivel të lartë komoditeti dhe dije teknike për kohën.
Pikërisht janë gjetur një numër i madh monedhash romake të shekujve III dhe IV, si dhe fragmente skulpturash prej mermeri, të cilat e shtojnë më tej hijeshinë dhe rëndësinë e këtij lokaliteti. Të gjitha këto dëshmi tregojnë qartë se Dresniku ka qenë një Municipium, pra një qytet tejet i organizuar romak me funksione të zhvilluara administrative, tregtare dhe shoqërore.
Duke kuptuar rëndësinë e kësaj pasurie të jashtëzakonshme kulturore, në vitin 2016 Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore e shpalli këtë lokalitet zonë me mbrojtje të përhershme. Dresniku nuk është thjesht një fragment i së kaluarës për t’u ruajtur në libra, por një pjesë e gjallë e identitetit tonë kombëtar, që dëshmon për kulturën, artin dhe qytetërimin e lashtë të popullit tonë.
Për këtë arsye, edhe pas kaq vizitash që kam bërë, them me plot kuptim se nuk lodhem kurrë duke e parë dhe përjetuar. Sepse vende të tilla nuk janë vetëm trashëgimi për brezat që vijnë – ato janë dëshmi të gjalla që u japin forcë, besim dhe krenari fëmijëve tanë, nipërve e mbesave, që të mbajnë kokën lart dhe të thonë me plot gojën: “Po, Dresniku i Klinës është toka jonë Dardane, me një histori dhe kulturë të lashtē shumëdimensionale e kombëtare”…