Pesë shtete marrin pjesë në turneun e boksit në Klinë, për nder të Ditës së Çlirimit

Qyteti i Klinës do të jetë nikoqir i një turneu ndërkombëtar të boksit, i cili organizohet nga Klubi i Boksit “Kastrioti”, me rastin e Ditës së Çlirimit të Klinës.

Në këtë turne pritet të marrin pjesë boksierë nga pesë shtete të ndryshme, të cilët do të garojnë në ringun e ngritur posaçërisht për këtë ngjarje sportive që do të mbahet më 18 qershor, shkruan Klina info.

Sipas organizatorëve, meçet do të fillojnë në orën 18:00, ndërsa peshimi i boksierëve zhvillohet në orën 15:00 të po asaj dite. Ndërkohë, meçi kryesor profesionist do të zhvillohet në orën 21:00, duke e bërë këtë një natë të veçantë për sportin e boksit në rajon.

Një ndër përballjet më të pritura do të jetë ajo ndërmjet Morinës dhe Nurisov, për të cilën peshimi do të bëhet një ditë para meçit, më 17 qershor, në restorantin “Ujana” në orën 08:00.

Ky turne pritet të sjellë adrenalinë dhe emocion për sportdashësit dhe njëkohësisht përfaqëson një nderim për Ditën e Çlirimit të qytetit të Klinës./ Klina info/