Përfundohen investime madhore në infrastrukturën e Sferkës, njofton kryetari Elezaj

Komuna e Klinës ka bërë të ditur se gjatë tre viteve të fundit ka përfunduar një projekt të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në fshatin Sferkë.

Në një njoftim nga kryetari i komunës, Zenun Elezaj, thuhet se është përfunduar rindërtimi i rrugës Volljak – Qupevë – Sferkë, ndërsa tashmë ka nisur edhe faza përfundimtare e asfaltimit të rrugës në drejtim të fshatit Bubel dhe Përçevë.

Sipas Elezajt, ky projekt përfshin mbi 7.5 kilometra rrugë të riasfaltuara, me një investim që kalon vlerën prej 600 mijë eurove vetëm gjatë këtyre tre viteve.

Ai gjithashtu bëri të ditur se shumë shpejt do të fillojë asfaltimi i degëzimeve të mbetura në fshatin Sferkë, duke përfunduar plotësisht infrastrukturën rrugore në këtë zonë.