Përfaqësuesja e Kosovës është mposhtur me rezultat minimal 1-0 nga Suedia në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Doha të Katarit.

Dardanët janë ndeshur si të barabartë me suedezët në ndeshjen e zhvilluar në Al Ahli në Doha.

Trajneri Bernard Challandes përveç yjeve të njohur të ekipit si Fidan Aliti, Herolind Shala dhe Anel Rashkaj, vendosi të startojë me tre lojtarë të Superligës së Kosovës: Visar Bekaj, Armend Thaqi dhe Leotrim Bekteshi.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të Kosovës dhe raste më shumë të krijuara nga Dardanët.

Në pjesën e dytë, Challandes vendosi të bëjë shumë ndryshime në fillim duke iu dhënë hapësirë lojtarëve të Superligës si Blend Baftiu, Arbër Hoxha, Jetmir Topalli, Valmir Veliu dhe Lapidar Lladrovci, ndërsa më vonë u inkuadruan edhe Rron Broja dhe Arb Manaj.

Goli i Suedisë erdhi në minutën e 75-të dhe ishte Simon Hedlund, i cili shënoi për epërsinë 1-0./Klina info