Pejani shkrep armën gjatë konfliktit me të riun, intervenon Policia

Posedimi i armëve është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Të njëjtit në shumë raste i përdorin ato për t’i kërcënuar të tjerët, e në rast edhe më të këqija, gjuajnë me to,

Së fundi një zënkë verbale mes dy të rinjve në fshatin Nabërgjan të Pejës, rrezikoi të përfundojë tragjikisht.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një 18-vjeçar dyshohet se në konflikt e sipër ka nxjerrë armën që posedonte me vete dhe ka shtënë në ajër me të.

I frikësuar dhe i shqetësuar nga veprimet e të dyshuarit, viktima është larguar me shpejtësi që aty dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.

Njësitë policore kanë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa i dyshuari gjatë ditës së djeshme është paraqitur në stacion policor ku është intervistuar lidhur me atë që ka ndodhur.

Arma që dyshohet se u përdor në rast është sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa i riu do të hetohet në liri për veprën penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.