PDK në Klinë zyrtarizon kandidaturën e Sokol Bashotës për zgjedhjet lokale të tetorit

Klinë, 24 qershor 2025
Partia Demokratike e Kosovës, dega në Klinë, ka zyrtarizuar sot kandidaturën e z. Sokol Bashota për kryetar të Komunës së Klinës në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit Drejtues të degës, ku me unanimitet u mbështet kandidatura e ish-kryetarit Bashota, duke u bazuar në kontributin e tij shumëdimensional gjatë dhe pas luftës, si dhe në përvojën e tij të gjatë në qeverisjen lokale.
Në njoftimin e bërë publik, PDK në Klinë thekson se:
“Duke u bazuar në kontributin e madh të z. Bashota në themelimin dhe organizimin e luftës së UÇK-së, si zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm; duke u bazuar në angazhimin e tij pas luftës në ndërtimin dhe zhvillimin e institucioneve të Kosovës; si dhe në qeverisjen e suksesshme të Komunës së Klinës për më shumë se një dekadë, Këshilli Drejtues e sheh të arsyeshme dhe të drejtë kandidimin e tij për mandatin e ardhshëm.”
PDK e cilëson z. Bashota si një figurë me vizion të qartë për zhvillimin e komunës, me përkushtim të dëshmuar ndaj qytetarëve dhe me kapacitete për të udhëhequr një qeverisje të përgjegjshme dhe dinjitoze.
Sokol Bashota ka shërbyer më parë për dy mandate si kryetar i Komunës së Klinës, dhe është një prej themeluesve të PDK-së.
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit pritet të jenë sfiduese për të gjitha subjektet politike, ndërsa me këtë vendim, PDK e Klinës e ka bërë të qartë se në garën për të qeverisur me komunën do të futet me një figurë të njohur dhe me përvojë.