​Qeveria e shtynë për nesër rishikimin e buxhetit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e rregullt, ka vendosur që prej datës 22 të këtij muaji të hapen për qarkullim edhe katër pika kufitare.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se kjo po bëhet për shkak të fluksit të madh të qytetarëve që po e kalojnë kufirin tani pas pandemisë.

Kabineti ndryshoi dhe plotësoi vendimin e qeverisë nr 02/38 të datës 31 maj 2020.

“Kishim përcaktuar pikat kufitare që u hapën me datë 31 maj, por është parë e domosdoshme nga fluksi i madh i qytetarëve që drejtohen në ato pika, kemi parë të nevojshme të hapen edhe pikat Qafë Prush, Qafë Morinë, Muçibabë dhe Mutivodë. Ky vendim të hyjë fuqi me datë 22 të këtij muaji”, tha Zemaj.

Kabineti qeveritar ka bërë shqyrtimin dhe votimi e projekt-planit të punës së qeverisë për vitin 2020 dhe planin indikativ të punës së qeverisë për vitet 2021 dhe 2022.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se pret nga kabineti angazhim maksimal për zbatimin e planit të punës.

“Puna e qeverisë dhe aktivitetet kryesore bazohen në këto prioritete qeveritare dhe janë plotësisht të përshkruara në programin qeverisës duke filluar nga prioriteti ynë i parë, menaxhimi i pandemisë për të vazhduar me rimëkëmbjen ekonomike”, tha Hoti.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është votuar edhe plotësimi dhe ndryshimi i rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive.

Gjithashtu sot, ndër të tjera u votua propozimi për t’i kërkuar presidentit autorizimin për nënshkrim të marrëveshjes së kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore, përfaqësuar nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, për financimin e “projektit emergjent Covid 19 për Kosovë.

Hoti ka njoftuar se rishikimi i buxhetit, shtyhet për mbledhjen e nesërme për shkak se ende nuk i kanë marrë të gjitha raporte nga institucionet buxhetore