PDK Klinë kritikon Kryetarin Elezaj për projekte “fasadë” para zgjedhjeve

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Klinë ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan ajo, “aktivizimit të vonshëm” të kryetarit aktual të Komunës, Zenun Elezaj, vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale.

Në një postim në rrjetin social Facebook, PDK Klinë shkruan:
“Zenun Elezaj ‘zgjohet nga gjumi’ pas 8 vitesh, nis projekte shkel e shko vetëm pak para fushatës zgjedhore!”

Si shembull konkret, ata përmendin rrugën “Feriz Boja” në lagjen “Dukagjini”, e cila, sipas postimit, është shtruar rishtazi me asfalt, por në mes të saj tashmë ka mbirë bar.

“E njëjta gjendje është edhe në shumë rrugë të tjera – ose çahen dhe bëhen me gropa për një javë, ose mbulohet asfalti me bar,” shkruan më tej dega e PDK-së, duke akuzuar Komunën për abuzim me paranë publike dhe zbatim të dobët të projekteve infrastrukturore.

PDK Klinë e konsideron këtë veprimtari si pjesë të një fushate propagandistike nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), që aktualisht qeveris me komunën, dhe kërkon “hetim të plotë nga organet e drejtësisë” për punimet që cilësohen si “fasadë dhe me cilësi të turpshme.”

“Qytetarët meritojnë llogaridhënie, jo propagandë para votimeve,” thuhet në fund të reagimit të publikuar nga PDK.