Është mbajtur takimi i gjashtë i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB)

Në sallën e Kuvendit të Komunës, sot Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi ka mbajtur takimin e gjashtë dhe të fundit për vitin 2019, ku është diskutuar për situatën e sigurisë në territorin e Komunës së Klinës.

Mbledhja filloi me këtë rend dite:
1- Arsyetimi i mungesave,
2- Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të seancës së kaluar,
3- Siguria në Komunën e Klinës,
4- Të ndryshme.

Takimin e ka udhëhequr nënkryetari i komunës, z. Besim Hoti, i cili njoftoi të pranishmit se për këtë vit është përmbushur kalendari i paraparë i takimeve të mbajtura.

Ndërsa Komandanti i Stacionit Policor në Klinës, z. Rexhë Berisha, theksoi se situata e sigurisë është e qetë dhe pa probleme të mëdha. Ai njoftoi të pranishmit me statistikat e rasteve të paraqitura dhe numrin e gjobave të shqiptuara. Po ashtu, shtoi se Policia e Kosovës ka bërë të gjithë përgatitjet për ofrimin e sigurisë gjatë ditëve të festave të fundvitit.

Në anën tjetër, të pranishmit shprehen shqetësimet e tyre për problemet me të cilat përballën qytetarët, duke theksuar problemin e qeneve endacak dhe rrjetin e vjetruar të energjisë elektrike.

Në fund, nënkryetari Hoti theksoi se shqetësimet e tyre do të adresohen dhe do të shikohen mundësitë e zgjidhjes së tyre.